02 Δεκεμβρίου 2011

Rinovim i lejës së qëndrimit pa ensima dhe kontratë pune? Ja DY alternativa të mundshme

Vendimet e ministrisë së Brendshme nuk rreshtin, ndërsa mundësitë për rinovimin e lejes së qëndrimit janë më të pasigurta se kurrë (situata krahasohet lehtë me të ardhmen e euros në Greqi, do i’a dalë mbanë, nuk do i’a dalë mbanë... mbase dhe këtë radhë...)

Në kërkim të shanseve e mundësive të tjera ose alternative, pas një diskutimi të gjatë me përfaqësuesit e ligjit dhe zgjidhjes së dilemave të shumta juridike, po paraqesim dy vendime të përshtatura së fundi, që realisht ofrojnë shans legalizimi, për një, dy ose më shumë kategori emigrantësh shqiptarë në Greqi.



Nëse fëmijët tuaj kanë lindur në Greqi ose kanë ndjekur 6 vjet shkollë në vend kanë të drejtën ligjore të dorëzojnë kërkesën për nënshtetësinë greke. Vetëm se për të marrë nënshtetësinë greke ndër kushtet bazë është leja e qëndrimit e vlefshme e prindërve, për 5-vjeçarin e fundit. Nëse këto të dyja ekzistojnë, domethënë nga njëra anë prindërit (të dy) të ligjshëm dhe nga ana tjetër plotësimi i kushteve për përfitimin e nënshtetësisë greke, për fëmijën e mitur, atëherë do të pyesni me të drejtë se “Ç’kuptim ka legalizimi i prindit të fëmijës së mitur me nënshtetësi greke?”. Për hir të së vërtetës, përgjigjen e kësaj pyetje dhe vetë shumica e nëpunësve të ministrisë së Brendshme nuk e kanë idenë se si mund të jetë. Gjithsesi, nëse ka ndodhur një mrekulli dhe fëmija juaj ka marrë nënshtetësinë greke (ose do e fitojë së shpejti) dhe nuk keni dokumenta, tani keni shansin e madh të fitoni një leje qëndrimi 5-vjeçare. Në fakt, pika e vendimit që vërtet përbën një risi është NDRYSHIMI I STATUSIT, domethënë RINOVIMI i lejes së qëndrimit si Prindër i shtetasit vendas të mitur. Rinovimi pa ensima, me fare pak dokumenta që nuk kanë asnjëfarë kostoje (përveç një certifikate familjare, që secili prej nesh duhet të ketë në arkivin e tij) në një periudhë, pa asnjë ekzagjerim, tragjike në sferën e punësimit, është tashmë realitet, përderisa gjatë viteve të kaluara jo vetëm që u kujdesët për fatin tuaj, duke u pajisur normalisht me leje qëndrimi, por sistemuat dhe brezin e ardhshëm të familjes me nënshtetësinë greke, pasaportën “e artë” për një jetë të begatë në BE (siç mendonim deri dje të paktën, se sot shumë gjëra vihen në pikëpyetje)...

Publikimi i fundit i ministrisë së Brendshme

Me numër vendimi 19143/2011, i datës 8 nëntor 2011, në lidhje me vendimet 5258/11, i datës 11 korrik 2011 dhe 13564 i datës 5 korrik 2011, bëhet e ditur se shtetasit e vendeve të treta, disponues të lejes së qëndrimit në Greqi, marrë në bazë të dispozitave të ligjit 3386/2005, prindër të fëmijëve të mitur të cilët përfitojnë nënshtetësinë greke sipas dispozitave të ligjit 3838/2010, kanë të drejtë të dorëzojnë kërkesën për ndryshimin e statusit të deritanishëm me atë të lejes së qëndrimit si prindër të të miturit me nënshtetësi greke (neni 94, ligji 3386/05), për arsye të statusit të ri familjar që përfitojnë. Si rrjedhim, përderisa dorëzojnë dokumentat përkatëse të zotërimit të nënshtetësisë greke nga fëmijët e tyre të mitur, si dhe dokumentat e tjera që parashikohen në vendimin ministror 944/2009, botuar në fletoren zyrtare me numër FEK 53 B’, shtetasit e vendeve të treta kanë mundësinë ose të rinovojnë lejen e qëndrimit si prindër të fëmijëve të mitur vendas, ose të dorëzojnë kërkesën për ndryshimin e statusit, brenda kuadrit të vlefshëm të statusit të ri familjar. Vendimi
publikohet për Drejtorinë e Politikës së Emigracionit, Administrata e Decentralizuar e Maqedonisë-Thrakës si dhe Administratën e Decentralizuar të Greqisë Qendrore –Thesalia, sektorin e lejeve të qëndrimit.

***

Neni 94, ligji 3386/05

Qëndrim i ligjshëm i shtetasve të vendeve të treta, anëtarë të familjes së shtetasit grek, sipas ligjit 3386/2005

Neni 94- Prindër të shtetasve grekë të MITUR

Me vendim të Sekretarit të Përgjithshëm të Periferisë lejohet dhënia e Lejes së Qëndrimit e paragrafit 1, neni 61 (konkretisht ky nen parashikon : Lejen e qëndrimit për shtetas të vendeve të treta, anëtarë të familjes së shtetasit grek apo shtetas të vendeve të tjera të BE-së, dhe përfshin çdo rast apo status familjar) si dhe duke u mbështetur në kushtet e Kapitullit IA’ konkretisht: Leje e qëndrimit lëshohet për anëtarët e shtetasit grek ose shtetas i vendeve të BE-së, të cilët janë shtetas të vendeve të treta, përderisa qëndrojnë në mënyrë të ligjshme në vend më shumë se 3 muaj. Ky dokument është personal, parashikon kontrollin e disponuesit nëse përbën rrezik për sigurinë e rendit publik, me afat 5-vjeçar për anëtarët e familjes së shtetasit grek. Disponuesit e këtij statusi zotërojnë të drejtën e punësimit, si prindër të shtetasit grek të mitur. Pas rritjes në moshë të shtetasit grek të mitur, për prindërit –shtetas të vendeve të treta, disponues të kësaj leje qëndrimi përkatëse, parashikohet shtyrje e afatit të lejes së qëndrimit për një 5-vjeçar, shtesë e kushteve të Kapitullit IA’, në fund të nenit 94, paragrafi 1 i nenit 44, ligji 3801/09)

***

DOKUMENTAT

Sipas vendimit ministror 944/2009 (FEK 53B’)

Th- Leje qëndrimi për prindërit e shtetasit grek të MITUR

-Dhënia fillestare e Lejes së Qëndrimit sipas nenit 94, të ligjit 3386/2005

*Certifikatë familjare të shtetasit grek të mitur

*Vërtetim se është dorëzuar kërkesa në entin sigurues për sigurimin e trajtimit mjekësor-farmaceutik

-Rinovimi i lejes së qëndrimit si prind i shtetasit grek të MITUR

*Vërtetim se është dorëzuar kërkesa në entin sigurues për sigurimin e trajtimit mjekësor-farmaceutik

&

Dokumentat unike për të gjitha llojet e lejeve të qëndrimit

Dhënia fillestare e lejes së qëndrimit

*Formulari i kërkesës në dy (2) kopje

*Tre (3) fotografi me ngjyra të kohëve të fundit.

*Çertifikatë mjekësore nga spital shtetëror grek i cili do të vërtetojë se nuk vuan shtetasi i vendit të tretë nga sëmundje, që ne përputhje me rregullat ndërkombëtare dhe Organizatën Botërore të Shëndetësisë, mund të përbëjnë rrezik për shëndetin publik përveç rasteve që përfshihen në dispozitat e neneve 18, 46-50, 61, 62, 63, dhe 94.

*Tarifë legalizimi, sipas llojit të lejes së qëndrimit.

Rinovimi i lejes së qëndrimit:

*Formulari i kërkesës në dy (2) kopje

*Tre (3) fotografi me ngjyra të kohëve të fundit.

*Fotokopje e pasaportës së vlefshme

*Fotokopje e legalizuar e lejes së mëparshme të qëndrimit.

*Tarifë legalizimi, sipas llojit të lejes së qëndrimit.

&
2

Lidhje me grek/e? Status ligjor që ofron legalizim

Vendim i posaçëm i ministrisë së Brendshme për “Leje qëndrimi për bashkejetesë me shtetasin grek- shtetas të BE-së, e vërtetuar me dokumenta ligjore”

Vendim brilant dhe krejt i ri, i përshtatur në aspektet e sistemit social modern, i denjë për të plotësuar aspiratat e çdo të riu/të reje të dashuruar me jetën, natyrën... pse jo dhe një vendas, por që mbi të gjitha ofrohet si shans për mbijetesën në raste urgjente, gjithashtu aktuale – pa ensima, pa punë, pa rinovim të dokumentave... Nëse dikur dashuria nuk njihte kufij, sot patjetër që është miqësia ajo që i ka shkelur të gjitha vijat e finishit. Nuk parashikohet në asnjë ligj, por nëse jeni të pamartuar dhe keni miq të mirë grekë apo shtetas të vendeve të BE-së dhe nuk siguroni dot lejen e qëndrimit-rinovimin në Greqi (pse jo, në një vend tjetër të BE-së) atëherë kjo qarkore është një shans, që me pak mjeshtëri, dinakëri dhe zotësi mund t’ju sigurojë qëndrimin e ligjshëm dhe nëse, nëse, e theksojmë nëse ofrohet diku dhe një vend pune me kontratë të rregullt. Nuk po referohemi në vajzat dhe djemtë shqiptarë që kanë lidhje erotike me vendasit/et, pasi kjo qarkore e fundit- surprizë- e ministrisë së Brendshme i përfshin plotësisht dhe (më në fund) i’u jep të gjitha të drejtat e bashkëshortes/tit, sipas ligjit 3386/2005. Këtu vlen të kujtojmë dhe vendimin e mëparshëm për njohjen e bashkëjetesës si lidhje ligjore me një kontratë tek noteri, vendim që rrezikon thellë statusin e martesës në shoqërinë mjaft fetare vendase, (si dhe një sërë biznesesh që lulëzojnë falë ëndrrës së dantellës, tylit dhe perlave...). Gjithsesi, në kohë të vështira, zgjidhjet alternative janë nganjëherë shumë më me vlerë sesa çdo rrugë tjetër, kështu që nëse sot jeni në marrëdhënie erotike (apo miqësore, me dy fjalë - të pandarë) me një shtetas vendas, ja sesi mund të legalizoheni-rinovoni dokumentat, pa paraqitur as ensima e as kontratë pune...

***
Qarkore e plotë e ministrisë së Brendshme

1-Lejohet hyrja dhe qëndrimi në Greqi i shtetasve të vendeve të treta, shokë (të dashur-partnerë erotikë) të shtetasit vendas-shtetas i BE-së, me të cilin kanë lidhje të qëndrueshme, të vërtetuar posaçërisht, dhe e shoqërojnë gjatë hyrjes në vend, ose hyjnë në Greqi me qëllim të vizitojnë ose të bashkohen me atë.

2-Për këta persona, nëse nuk disponojnë leje qëndrimi, urdhërohet, ku paraqitet kërkesa sipas Rregullores 539/2001, pas reformës dhe siç ka hyrë në fuqi, dhënia e Vizës Schengen me procedura të lehtësuara, automatikisht.

3-Shtetasit e vendeve të treta të kategorisë së mësipërme, kanë të drejtë të qëndrojnë në Greqi për një periudhë kohore deri në 3 muaj pa asnjë kusht apo justifikim, përderisa disponojnë pasaportë ose vizë, të shoqërojnë apo takohen me shtetasin vendas apo shtetas të vendeve të BE-së.


4-Shtetasit e vendeve të treta që dëshirojnë të qendrojnë në vend për periudhë kohore mbi 3 muaj, janë të detyruar të dorëzojnë kërkesën përkatëse në Drejtorinë e Politikës së Emigracionit, të Sekretarisë së Përgjithshme të Popullsisë dhe Përbërjes Sociale të ministrisë së Brendshme, brenda afatit kohor të qëndrimit të tyre të lejueshëm në Greqi dhe përderisa plotësojnë këto KUSHTE:

1-Disponojnë pasaportë ose dokument tjetër ligjor udhëtimi

2-Vërtetohet vendbanimi i përhershëm i shtetasit grek-të BE-së në Greqi

3-Zotërojnë vendbanim të përbashkët me shtetasin grek – shtetas i BE-së

4-Vërtetojnë me dokumenta lidhjen e përhershme e të qëndrueshme të shtetasit grek –shtetas të BE-së

5-Disponojnë siguracion shëndetësor të plotëm (libër shëndeti nga ent sigurimi vendas).

5a-Qendrueshmëria e lidhjes vërtetohet nga këto dokumenta:

-Bashkëjetesa e vërtetuar me dokumenta ligjore

-Ekzistenca e fëmijës së lindur apo fëmijës së adoptuar së shtetasit të vendeve të treta sëbashku me shtetasin grek –shtetasin e BE-së.

Gjithashtu, qëndrueshmëria dhe ekzistenca e lidhjes vërtetohet nga fakti se të dy kanë marrë përsipër detyrime afatgjate ligjore, sociale ose ekonomike.

(Shpjegim: Përsa i përket klauzolës 5, një dokument që vërteton bashkëjetesën tek noteri do të plotësonte kushtet, ndërsa përsa i përket detyrimeve afatgjate ligjore, nënkuptohen kredi për strehim, kredi për konsum, aktivitete private e investime të përbashkëta, gjithçka që vërteton marrëdhënien e vlefshme dhe të vazhdueshme të dy individëve).


6-Për lëshimin e lejes së qëndrimit të interesuarit, në çdo rast, duhet të dorëzojnë:

-Fotokopje pasaportës me vizë, në rast se kjo e fundit është e domosdoshme

-Karta e identitetit e shtetasit vendas ose vërtetim i regjistrimit në Drejtorinë e Policisë së të Huajve të shtetasit të BE-së

-Vërtetim i entit sigurues për mbulimin e trajtimit mjekësor-farmaceutik (libër shëndeti).

-Dokumenta që vërtetojnë bashkëjetesën e përditshme në të njëjtin vendbanim (kontratë shtëpie me qira, kontratë blerje e shtëpisë në të dy emrat, llogari të korrentit, ujit, telefonit OTE në dy emra).

-Për vërtetimin e bashkëjetesës sipas paragrafit 5, kërkohen këto dokumenta:

a)Fotokopje e sigluar e kontratës së bashkëjetesës së lirë ose të një dokumenti tjetër që sipas legjislaturës të Greqisë ose vendit të BE-së certifikon bashkëjetesën e qëndrueshme OSE

b)Fotokopje të aktit të lindjes të fëmijës së përbashkët të lindur ose të adoptuar sëbashku nga shtetasi vendas-i BE-së me shtetasin e vendit të tretë.

Në çdo rast tjetër, kërkohet dorëzimi i dokumentave të kontratave ekonomike, juridike e sociale afatgjatë.

7-Leja e qëndrimit lëshohet me vendim të Ministrisë së Brendshme, është një vjeçare (1) dhe rinovohet për dy vjet (2) me të njëjtat kushte e dokumenta.


8-Në raste të veçanta në të cilat ekzistojnë arsye për dyshime në vërtetësinë e lidhjes dhe plotësimin e kushteve të përmendura më sipër, kryhen kontrollet përkatëse nga Drejtoria e Përgjithshme e Emigracionit, e ministrisë së Brendshme.


9-Përfundimi i lidhjes, vdekja e shtetasit vendas-shtetasit të BE-së ose largimi nga Greqia e shtetasit vendas-shtetasit të BE-së, gjatë periudhës së qëndrimit të ligjshëm shkakton dhe humbjen e vlefshmërisë së lejes së qëndrimit. E drejta e qëndrimit të ligjshëm në vend mbetet në baza personale, vetëm përderisa qëndrojnë në Greqi, si partnerë (të dashur) të shtetasit grek –shtetasit të BE-së, për të paktën tre (3) vjet para se të marrë fund lidhja apo largohet nga vendi- të shkaktohet vdekja e shtetasit grek-shtetasit të BE-së, dhe nëse plotësojnë kushtet e rinovimit të lejes së qëndrimit në bazë të dispozitave të legjislaturës të emigracionit.


10-Leja e qëndrimit nuk lëshohet ose tërhiqet pas, përveç rasteve të veçanta kur paraqiten arsye të mbrojtjes së rendit publik dhe në raste kur vërtetohet me dokumenta, sidomos nëse ekziston vendim gjyqësor, se janë përdorur informacione e dokumenta false dhe se është shpërdoruar vendimi përkatës.


11-Disponuesit e kësaj leje qëndrimi kanë të drejtë të punësohen me kontratë të rregullt, si rrogëtarë. Sidomos për periudhën e parë 12-mujore të qëndrimit, nga dhënia e parë e lejes së qëndrimit, e drejta për punësim është e vlefshme me kusht bazë ofrimin e vendeve të punës për specializimin përkatës, siç janë vendosur në procedurën e nenit 14, ligji 3386/05.

12-Leje qëndrimi nën kupolën e kushteve të mësipërme lëshohet dhe në rast kur lidhja krijohet në Greqi, përderisa vërtetohet qëndrim i ligjshëm i shtetasit të vendit të tretë në shtetin grek, me titull vendimtar qëndrimi, për të paktën një periudhë një-vjeçare para se të fillojë bashkëjetesën me shtetasin vendas.

13-Leje qëndrimi me të njëjtin afat kohor jepet dhe për fëmijët e mitur (nën moshën 21 vjeç) si dhe tek fëmijët e partnerit, që jetojnë në Greqi ose vijnë në Greqi për të bashkëjetuar të gjithë në një shtëpi.

Kërkesa në pritje para publikimit të këtij vendimi shqyrtohen sipas këtij vendimi.

Dokumentat e lëshuara nga dikasteret e shtetit të huaj kërkohen të sigluara, të përkthyera siç parashikohet në paragrafin 4, neni 92, ligji 3386/05.

Qarkorja hyn në fuqi nga data e botimit në Fletoren Zyrtare.

Për më shumë dhe më qartë mund të informoheni nga
PLUS GAZETA E ATHINËS